
Bashkimi Evropian ka vazhduar kontaktet e tij me Beogradin zyrtar, për harmonizimin e një teksti të një Rezolute të re për Kosovën, që do të mund të paraqitej gjatë javës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Një përpjekje e fundit e BE-së, për ndryshimin e Rezolutës serbe, pritet të ndërmerret të martën në mbrëmje, kur në Bruksel shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do të takojë presidentin serb Boris Tadiq. Kontaktet mes Brukselit dhe Beogradit zyrtar me qëllim të përafrimit të qëndrimeve rreth një dokumenti të përbashkët që do të mund të paraqitej në OKB, nga mesi i kësaj jave, pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së hënë, në prag të një takimi të nivelit të lartë BE-Beograd.