Pas 18 vjetësh përpjekje që drama shqipe të bëhej pjesëmarrëse në një prej bienaleve më të rëndësishme në botë, sic është ajo e Bonit, "Allegretto Albania" me në fund përfaqëson Teatrin Kombëtar dhe Shqipërinë në Wisbaden-festival, ish- Bienalja e Bonit, në Gjermani. Drama e shkruar nga Stefan Capaliku, fituese e konkursit kombëtar të dramës shqipe në 2007-ën dhe me regji të Altin Bashes, u përzgjodh nga grupi i selektorëve të festivalit për vlerat e saj autentike dhe që ishte e pashfaqur në festivale të tjera.
"Allegretto Albania" solli para publikut dhe kritikës gjermane një tematikë të prekshme të realitetit shqiptar. Me skenografi dhe kostumografi të Iliriana Loxhës, komedia serioze, siç jemi mësuar ta quajmë, përcjell historinë e një familjeje të ngujuar për arsye gjakmarrjeje. Një kryefamiljar i ngujuar me familjen për shkak të një krimi që nuk e ka kryer vetë, por që është i detyruar të përgjigjet në bazë të ligjeve të Kanunit. Shfaqja i ngjan një procesi diagnostikimi mjekësor, nëpërmjet së cilit zbërthehen karakteret e njerëzve që nuk e kanë zgjedhur fatin e tyre.
Ndërkohë që të gjitha situatat në komedi ndodhin pikërisht në kulmin e stinës koncertore të njohur në Shqipëri nën okelion "Allegretto Albania". Duke ia dalë mbanë të jetë pjesë e bienales me famë ndërkombëtare, në të cilën shprehen tendencat e sotme të dramaturgjisë dhe të gjitha elementeve të tjera të teatrit, "Allegretto Albania" me intepretimin e aktoreve Mirush Kabashi, Olta Daku, Vasian Lami, Ahmet Pasha, Gazmend Paja, Xhejni Fama, Klea Rondo u vlerësua mes 24 trupave konkurrente si më e mira, duke rrëmbyer në këtë mënyre edhe Çmimin e Kritikës.
Tek Çapaliku kemi gjetjen, lojën për të qenë bindës dhe për të dhënë një mesazh, një moral, një katarsis. Komikja përballë pasojës, jo krimit, por fateve që e vuajnë, të shumtën e rasteve padrejtësisht, dënimin që vjen nga një kanun i stërlashtë me nenet dhe paragrafët mesjetarë. Publiku gjerman pa një realizim skenik jo të zakonshëm, përmasat e të cilit e kanë tejkaluar zhvillimin teatror mbarëshqiptar.
Drama shqipe, fitoi çmim në Gjermani


