Kronike Bastiset Azem Syla për rastin Bllaca

Bastiset Azem Syla për rastin Bllaca

Email Shtyp pdf


eulexPas disa orë bastisjeje në shtëpinë e një komandanti të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, EULEX-i e ka urdhëruar atë që brenda shtatë ditësh të paraqitet në Prokurorinë Speciale.
Policia e misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë bastisi që nga orët e mëngjesit të së mërkurës shtëpinë e Azem Sylës në fshatin Kishnarekë.  Ky operacion ishte në kuadrin e hetimeve në rastin Bllaca, që lidhet me krime që supozohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Operacioni u krye nën mbikqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe u autorizua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, thotë korrespondentja e BBC-së në Prishtinë.
Z.Syla nuk ndodhej në shtëpi në momentin e bastisjes së shtëpisë së tij.
Njoftohet se policia ka marrë në vendin e ngjarjes disa dokumente të cilat mund të shërbejnë si material dëshmues në hetimet që po zhvillohen për këtë rast.
Në nëntor të vitit të kaluar një person i indetifikuar si Nazim Bllaca, ka folur publikisht në Prishtinë se në emër të Shërbimit Sekret të Kosovës (SHIK) 'kishte kryer vepra kriminale përfshirë edhe vrasje', njofton korrespondentja e BBC-së.
Në deklaratën e tij publike, ai kishte përmendur Azem Sylën si njërin nga personat që kishte urdhëruar kryerjen e këtyre krimeve.
Që nga paraqitja publike, që ka shkaktuar reagime në Kosovë, Nazim Bllaca po mbahet në arrest shtëpiak nga policia, ndërsa EULEX-i po heton vërtetësinë e pohimeve të tij.