Policia dhe Ambasada zvicerane, gjatë ditës së martë kanë kontrolluar rreth 120 automjete me targa të Zvicrës, prej të cilave tri janë konfiskuar si jo të rregullta. Bashkëpunimi ndërpolicor në rajon dhe më gjerë për luftimin dhe parandalimin e incidenteve kriminale është shumë i rëndësishëm për të gjitha policitë
Prishtinë, 27 korrik
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën zvicerane, gjatë ditës së martë në Drejtorinë Rajonale të Pejës dhe në pikë kalimin kufitar në Vërmicë kanë realizuar planin policor të koduar me emrin "Targat".
Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë se ky plan është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën zvicerane në Prishtinë dhe me Zyrën Ndërlidhëse në mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të PK-së.
Krahas qëllimit që kishte ky plan për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në komunikacionin rrugor u realizua edhe për identifikimin e automjeteve me dokumentacion të parregullt ose të vjedhura që qarkullojnë në Kosovë, dhe atë kryesisht me targa të Zvicrës.
Beka thotë se në total prej mbi 120 veturave që janë verifikuar në tri baza të të dhënave (të zonës së Shengenit, Interpolit dhe bazës së të dhënave të Zvicrës) janë identifikuar dhe konfiskuar nga policia tri vetura që kishin dokumentacion jo të rregullt dhe atë 2 në Klinë dhe 1 në Gjakovë.
Në këtë plan operativ të përfshira kanë qenë njësia e auto-krimeve të asistuar nga njësitë e trafikut rrugor dhe disa nga njësitë patrulluese të stacioneve policore në rajonin e Pejës dhe Policisë Kufitare të PK-së.
Qëllimi i këtij plani operativ ka të bëjë edhe me sigurinë e përgjithshme, ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike dhe parandalimin e aksidenteve në trafik me një prezencë të shtuar policore në rrugët magjistrale dhe më gjerë.
Operacioni "Targa" konfiskon tri automjete 


